Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e vizës turistike, duke paralajmëruar se përdorimi i saj për të lindur në SHBA mund të ndikojë në rinovimin e saj në të ardhmen.
Në një njoftim zyrtar, ambasada thekson se disa shtetas shqiptarë udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara me vizë turistike dhe përdorin programin publik Medicaid për të mbuluar shpenzimet e kujdesit shëndetësor gjatë lindjes.
Sipas përfaqësisë diplomatike amerikane, këto kosto mbulohen nga taksapaguesit amerikanë dhe për këtë arsye autoritetet mund të refuzojnë rinovimin e vizës për personat që kanë vepruar në këtë mënyrë.
“Prindërit që përdorin viza turistike për të lindur në SHBA mund të mos kualifikohen për rinovimin e vizave të tyre në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.
Autoritetet amerikane rikujtojnë se viza turistike duhet të përdoret vetëm për qëllimin e deklaruar gjatë aplikimit dhe në përputhje me kushtet e saj. Përdorimi i saj për të përfituar nga programet publike ose për qëllime që bien ndesh me rregullat e emigracionit mund të ndikojë negativisht në vendimet e ardhshme për lëshimin ose rinovimin e vizës.
