Gazetari Mentor Kikia e ka cilësuar protestën qytetare, e cila po vijon prej 41 ditësh në Tiranë, si një lëvizje që shkon përtej pakënaqësive ekonomike, duke argumentuar se ajo përfaqëson kërkesa për standarde më të larta demokratike dhe reforma institucionale.
I ftuar në një studio televizive, Kikia u shpreh se pjesëmarrësit në protestë nuk janë vetëm qytetarë të prekur nga vështirësitë ekonomike, por edhe intelektualë dhe njerëz që kërkojnë ndryshime në funksionimin e shtetit.
“Nëse një popull është thjesht i uritur, ai nuk e njeh nevojën për mbrojtjen e mjedisit apo lirinë e medias. Në protestë ka qytetarë që kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor, reformim të sistemit elektoral, liri të medias dhe barazi para ligjit. Kjo e ngre protestën në një nivel tjetër dhe tregon se nuk është thjesht protestë e shtresave në nevojë,” tha ai.
Sipas Kikisë, në tubime marrin pjesë edhe intelektualë që, sipas tij, nuk protestojnë për arsye ekonomike, por sepse kërkojnë një model tjetër qeverisjeje dhe standarde më të larta demokratike.
Duke komentuar reagimin e kryeministrit Edi Rama ndaj protestave, gazetari u shpreh se kreu i qeverisë i ka kuptuar mesazhet që vijnë nga rruga dhe po përpiqet të ndryshojë mënyrën e komunikimit.
“Në mënyrë absolute Rama i ka lexuar mesazhet. Ai nuk është budalla politik. E kupton çfarë po ndodh dhe përpiqet të gjejë mënyra për ta menaxhuar situatën. Ai shpresonte që protesta të përfundonte në dhunë, sepse do ta kishte më të lehtë ta përballonte politikisht, por organizatorët e tërhoqën situatën dhe protesta vijoi në mënyrë paqësore,” deklaroi Kikia.
Gazetari komentoi edhe debatet në rrjetet sociale dhe sulmet ndaj bizneseve, duke i cilësuar pjesë të një përplasjeje virtuale mes mbështetësve të qeverisë dhe protestuesve. Sipas tij, shteti ka detyrimin të mbrojë bizneset nga sulmet kibernetike, ndërsa theksoi se disa prej tyre janë bërë pjesë e debatit politik përmes aktivitetit të tyre në rrjetet sociale.
