“Rama turpërohet vetëm për koncertet”/ Protestuesi: Dorëheqja e kryeministrit është e panegociueshme

Data

Protesta qytetare kundër qeverisë vijoi edhe në ditën e saj të 41-të para godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimit, një prej protestuesve kritikoi qeverinë për, sipas tij, mungesën e vëmendjes ndaj shtresave në nevojë, duke deklaruar se kryeministri nuk shqetësohet për vështirësitë me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara, fermerët apo qytetarët që largohen nga vendi.

“Protesta vijon në ditën e 41 me të njëjtin entuziazëm për të rrëzuar Edi Ramën dhe stafin e tij. Rama nuk turpërohet që personat me aftësi të kufizuara nuk sigurojnë dot jetesën, që bujqit e fermerët nuk nxjerrin dot shpenzimet apo që uzina e Ballshit u shit për hekur. Por turpërohet vetëm për një koncert,” u shpreh ai.

Protestuesi akuzoi kryeministrin se ka humbur lidhjen me qytetarët dhe se, sipas tij, pushtetin e përdor për interesat e veta.

“Rama përdor votën për të mbajtur karrigen dhe për të shtypur popullin. Pas 13 vitesh në pushtet sillet si mbret dhe ka humbur çdo lidhje me njerëzit. Dorëheqja e tij është e panegociueshme,” deklaroi ai.

Në përfundim të fjalës së tij, qytetari theksoi se protestuesit do të vijojnë tubimet në mënyrë paqësore, duke shprehur shpresën që situata të mos përshkallëzohet në përplasje si ato të vitit 1997.

“Ne do të jemi këtu çdo ditë për të kërkuar paqësisht largimin e tij. Uroj që Shqipëria të mos përjetojë më ngjarje si ato të vitit 1997. Nuk pajtohemi me korrupsionin dhe vjedhjen e parave publike,” përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related