Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 41-të, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike.
Gjatë tubimit para Kryeministrisë, një prej protestuesve u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë rezistencën, duke theksuar se lëvizja nuk do të ndalet deri në arritjen e objektivave të saj.
“41 ditë qëndresë që kur shqiptarët vendosën të rrëzojnë përfundimisht paragjykimin se ne nuk bëhemi. I dhamë besën njëri-tjetrit se jemi të gatshëm të rezistojmë për një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri që kjo klasë e inkriminuar politike nuk na e dha kurrë. Nuk na e dha për 36 vjet dhe nuk do të na e japë për 36 vjet të tjera nëse nuk rezistojmë,” u shpreh ai.
Protestuesi tha se lëvizja ka fituar mbështetje të gjerë qytetare dhe kërkoi që fokusi të mos vendoset te numri i pjesëmarrësve në protestë.
“Nuk është më çështje numrash. Mos bini në kurthin e atyre që duan ta kthejnë këtë protestë në çështje numrash. Këtë betejë e kemi fituar, sepse kemi arritur mobilizimin më të madh që është parë ndonjëherë,” deklaroi ai.
Në fjalën e tij, protestuesi akuzoi qeverinë për propagandë dhe sulme ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa shtoi se “Rama në burg, Berisha në burg” është thirrja e qytetarëve që, sipas tij, kërkojnë një Shqipëri të re.
Ai kritikoi gjithashtu kryeministrin, duke e akuzuar se “e nis ditën me fletërrufe dixhitale”, ndërsa u bëri thirrje protestuesve të vijojnë qëndresën deri në realizimin e kërkesave të tyre.
