Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve SMS dhe email-eve mashtruese që përdorin emrin dhe identitetin vizual të bankave, Postës Shqiptare apo institucioneve të tjera publike dhe private.
Sipas AKSK-së, këto mesazhe janë pjesë e skemave të njohura si “phishing”, të cilat synojnë të përvetësojnë të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve përmes mashtrimit.
Autoriteti sqaron se mesazhet mashtruese zakonisht pretendojnë se qytetari ka një pako që kërkon pagesë ose konfirmim adrese, se llogaria bankare është bllokuar ose ka aktivitet të pazakontë, apo se duhet të ndërmarrë veprime urgjente për të shmangur pezullimin e një shërbimi.
Në këtë kuadër, AKSK u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje (linke) të dyshimta dhe të mos ndajnë asnjëherë fjalëkalime, kode verifikimi (OTP), PIN-e apo të dhëna të kartave bankare.
Po ashtu, rekomandohet që çdo njoftim i marrë të verifikohet vetëm përmes faqeve zyrtare ose kanaleve zyrtare të komunikimit të bankës apo institucionit përkatës. Çdo rast i dyshuar duhet të raportohet pranë autoriteteve kompetente dhe institucionit emri i të cilit po përdoret në mënyrë mashtruese.
“Një klikim i nxituar mund të mjaftojë për të komprometuar të dhënat tuaja. Qëndroni vigjilentë dhe verifikoni gjithmonë përpara se të veproni”, thekson AKSK në apelin e saj.
