Gjykata e Fierit ka ndryshuar masat e sigurisë për tre të rejat e përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje, pasi çështja mori vëmendje të gjerë publike dhe hetimet u zgjeruan.
Sipas vendimit të gjykatës, 19-vjeçarja është lënë në masën “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve, ndërsa 15-vjeçarja do të qëndrojë në arrest shtëpie. Për të miturën tjetër të përfshirë në ngjarje është vendosur mjekim i detyruar, pasi, sipas autoriteteve, rezulton me probleme të shëndetit mendor.
Ndërkohë, hetimet nuk janë kufizuar vetëm te episodi i dhunës ndaj bashkëmoshatares. Sipas të dhënave paraprake të mbledhura nga Policia e Fierit, tre të rejat dyshohet se kanë qenë të përfshira edhe në një skemë shantazhi ndaj burrave.
Sipas hetimeve, ato dyshohet se kontaktonin persona të rritur, u linin takime në ambiente hoteli dhe më pas, në vend të takimit të premtuar, paraqitej një person tjetër që i fotografonte. Materialet e siguruara dyshohet se përdoreshin më pas për t’i shantazhuar.
Në këtë procedim është përmendur edhe rasti i një punonjësi policie, babai i dy fëmijëve, i cili dyshohet se ishte kontaktuar nga 15-vjeçarja. Sipas informacionit paraprak, ai nuk kishte shkuar në hotel, por ishte takuar me të vetëm në një lokal. Megjithatë, bisedat e zhvilluara mes tyre dyshohet se janë përdorur për ta shantazhuar, me pretendimin se do të publikoheshin nëse nuk ndikohej në hetimin për rastin e dhunës.
Për këtë rast, efektivi është përjashtuar nga Policia e Shtetit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet për të sqaruar rrethanat.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e secilit prej të përfshirëve. Deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë, të gjithë personat e përmendur në këtë procedim prezumohen të pafajshëm.
