Media holandeze BrusselseNieuwe.nl i ka kushtuar një analizë procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke argumentuar se përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian duhet të ecë paralelisht me garantimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave procedurale.
Në opinionin e publikuar, studiuesja Emma Melankovsky sugjeron që delegacioni i Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane të Holandës, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, të diskutojë jo vetëm ecurinë e reformave, por edhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Artikulli vlerëson progresin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi, duke kujtuar se edhe Holanda mbështet institucionet shqiptare, përfshirë SPAK-un, në këtë proces.
Një pjesë e analizës ndalet te rasti i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim nën hetim për korrupsion. Sipas autores, lufta kundër korrupsionit mbetet thelbësore për procesin e integrimit, por ajo duhet të zhvillohet duke respektuar standardet e shtetit të së drejtës dhe garancitë procedurale.
Në artikull përmendet se, sipas mbrojtjes së Veliajt, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar për herë të dytë një shqyrtim më të plotë të çështjes së masës së sigurisë nga Gjykata e Lartë, ndërsa theksohet se çështje të tilla ngjallin debat mbi balancën mes luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore.
Media holandeze sjell në vëmendje edhe rastin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, duke iu referuar qëndrimeve të Komisionit të Venecias, sipas të cilit paraburgimi i zyrtarëve të zgjedhur duhet të përdoret vetëm kur ekziston një nevojë e qartë ligjore dhe kur masat më të lehta nuk janë të mjaftueshme.
Në përfundim, BrusselseNieuwe.nl argumenton se politika e zgjerimit të Bashkimit Europian duhet të bazohet në zbatimin e njëjtë të standardeve të shtetit të së drejtës për të gjitha vendet kandidate.
“Një politikë zgjerimi që merret seriozisht kërkon respektimin e qëndrueshëm të shtetit të së drejtës. Kjo vlen si për Shqipërinë, ashtu edhe për vetë Bashkimin Europian”, përfundon analiza.
