Të paktën 28 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu fabrikën e këpucëve Huiteng Shoes në qytetin Jinjiang, provinca Fujian, në Kinën lindore. Ngjarja konsiderohet një nga aksidentet industriale më të rënda të viteve të fundit në vend.
Sipas autoriteteve kineze, zjarri shpërtheu rreth mesditës, ndërsa në momentin e incidentit në ndërtesë ndodheshin 237 punonjës dhe dy vizitorë. Ekipet e emergjencës arritën të evakuonin ose shpëtonin 213 persona, ndërsa 28 të tjerë humbën jetën, dy prej tyre pasi u transportuan në spital.
Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror CCTV treguan flakë të mëdha dhe tym të dendur që përfshiu disa kate të godinës. Disa punonjës u panë duke kërkuar strehim në çati dhe pranë dritareve, ndërsa ekipet e zjarrfikësve punonin për neutralizimin e flakëve.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan 183 zjarrfikës dhe 35 mjete zjarrfikëse, ndërsa autoritetet nisën menjëherë kërkimet për të mbijetuar dhe hetimet për shkaqet e zjarrit.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e cilësoi ngjarjen një tragjedi me humbje të mëdha njerëzore dhe kërkoi një hetim të shpejtë e të plotë.
“Duhet të identifikohet sa më parë shkaku i aksidentit dhe personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi të plotë sipas ligjit,” deklaroi Xi.
Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, pronari i fabrikës dhe persona të tjerë përgjegjës janë arrestuar, ndërsa llogaritë bankare të kompanisë janë bllokuar në kuadër të hetimeve. Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë.
