Analisti Ben Andoni ka komentuar diskutimet mbi mundësinë e zhvillimit të një samiti të NATO-s në Tiranë, duke theksuar se vendimmarrja për organizimin e samiteve i takon strukturave të Aleancës dhe jo qeverisë shqiptare.
I ftuar në një studio televizive, Andoni u shpreh se debati publik është zhvendosur nga çështja thelbësore e samitit drejt temave të tjera, ndërsa theksoi se këto takime organizohen për të marrë vendime strategjike mbi sigurinë dhe jo për arsye ceremoniale.
“Samitet nuk janë si kongreset e dikurshme të partisë. Ti duhet të mblidhesh për të diskutuar diçka,” u shpreh ai.
Sipas analistit, për shkak të zhvillimeve të shumta ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, është ende herët për të parashikuar datën e samitit të ardhshëm.
Andoni shtoi se, edhe nëse Tirana zgjidhet si mikpritëse, pjesa dërrmuese e organizimit do të realizohet nga vetë strukturat e NATO-s.
“Shqipëria do të kryejë rolin e saj, por pjesën më të madhe të organizimit e bëjnë vetë strukturat e NATO-s, sepse ne nuk kemi as infrastrukturën dhe as logjistikën për të mbajtur aktivitete të këtij niveli,” tha ai.
Analisti u shpreh se do të dëshironte që samiti të zhvillohej në Tiranë, por nënvizoi se kjo nuk duhet parë si meritë e një qeverie të caktuar, pasi vendimi merret nga autoritetet e Aleancës.
Në fund të komentit të tij, Andoni tha se shpreson që, nëse samiti zhvillohet në Shqipëri, ai të shoqërohet me zhvillime pozitive për rajonin.
“Uroj që, nëse samiti do të mbahet në Tiranë, të ketë lajme të mira për Shqipërinë dhe Kosovën. Lajmi më i mirë do të ishte avancimi i Kosovës drejt NATO-s, sepse kjo do t’i jepte më shumë siguri dhe do t’i hapte rrugë të ardhmes së saj,” përfundoi ai.
