Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje mbi hetimet për rastin e dhunës ndaj një 17-vjeçareje në Fier, ngjarje që u bë publike pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale.
Në një deklaratë për mediat, Hita bëri të ditur se procedurat hetimore janë ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë dhe se njëra prej të miturave të përfshira në ngjarje është arrestuar, pasi rezulton e përfshirë edhe në një rast të mëparshëm.
“Është një video e rëndë ku shihen disa të mitura duke kryer veprime të dhunshme. Janë kryer veprimet procedurale dhe, gjatë hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë, ka vijuar ndjekja penale. Njëra prej vajzave ka pasur rast të përsëritur dhe është arrestuar,” u shpreh Hita.
Kreu i Policisë konfirmoi gjithashtu pezullimin nga detyra të një efektivi policie, duke sqaruar se masa disiplinore nuk lidhet me publikimin e videos, por me sjelljen e tij gjatë trajtimit të rastit.
Sipas Hitës, punonjësi i policisë ka cenuar standardet profesionale duke krijuar një marrëdhënie të papërshtatshme me një nga autorët e dyshuar të ngjarjes.
“Oficeri i policisë i përfshirë në rastin e Fierit nuk është evidentuar se ka nxjerrë videon. Pezullimi i tij është urdhëruar për shkelje të standardeve dhe cenim të rëndë të figurës së punonjësit të Policisë së Shtetit, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me një nga vajzat që dyshohet se ka kryer veprën ndaj të miturës tjetër,” deklaroi Hita.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se hetimet për rastin vijojnë në bashkëpunim me organin e akuzës.
