Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale ku disa anëtarë të delegacionit shqiptar në Strasburg shfaqen duke luajtur me letra gjatë një vizite zyrtare.
Në pamjet e publikuara shihen, mes të tjerëve, Taulant Balla, Evis Kushi, Arbjan Mazniku dhe Pirro Vengu.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehaj e cilësoi episodin si të papërshtatshëm dhe kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po përfaqësohet Shqipëria në një aktivitet zyrtar ndërkombëtar.
“Skandal, delegacioni qeveritar në vizitë zyrtare kapet duke luajtur me letra në mes të Strasburgut. Kaq seriozisht e merr Taulant Balla dhe shokët e tij përfaqësimin e Shqipërisë në Europë. Këta janë të padenjë për të përfaqësuar shqiptarët,” shkroi Shehaj.
Videoja është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka nxitur reagime të ndryshme politike. Në pamje dëgjohen edhe qytetarë që u drejtohen anëtarëve të delegacionit me pyetje lidhur me aktivitetin e tyre gjatë qëndrimit në Strasburg.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga anëtarët e delegacionit shqiptar lidhur me videon apo komentet e bëra pas publikimit të saj.
