Fotografitë e publikuara nga një drekë në Tiranë mes biznesmenit izraelit Ron Yeffet dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku kanë rikthyer në qendër të debatit publik marrëdhëniet mes kompanisë shtetërore KAYO sh.a. dhe partnerëve privatë në industrinë e mbrojtjes.
Sipas akuzave të ngritura nga opozita, marrëveshjet e lidhura nga KAYO me kompani të huaja dhe shqiptare janë zhvilluar pa transparencën e nevojshme dhe duke anashkaluar procedurat standarde të prokurimit publik. Opozita pretendon se përmes këtyre mekanizmave janë krijuar struktura të përbashkëta në sektorin e armatimeve, me vlera që mund të arrijnë në qindra miliona euro.
Në qendër të këtyre pretendimeve është biznesmeni Ron Yeffet, i cili sipas opozitës ka krijuar kompani të përbashkëta me KAYO në fushën e prodhimit dhe tregtimit të pajisjeve ushtarake.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes për mungesë transparence lidhur me aktivitetin e kompanisë Advanced Arms Technology (AAT), ku KAYO zotëron 20% të aksioneve.
Sipas Këlliçit, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi deklaroi më herët në Kuvend se AAT prodhon armë që përdoren aktualisht në zona konfliktesh, ndërsa kërkesa e tij për informacion, dorëzuar në fund të prillit, nuk ka marrë ende përgjigje.
Deputeti demokrat kërkon sqarime mbi disa çështje, mes tyre:
- nëse ministri konfirmon deklaratat e bëra në Kuvend për aktivitetin e AAT;
- sasinë e armatimit dhe municioneve të prodhuara;
- fabrikën ku janë prodhuar armët;
- si dhe destinacionin e eksporteve të para.
“Heshtja nuk të shpëton nga përgjegjësia ligjore”, deklaron Këlliçi, duke akuzuar Ministrinë e Mbrojtjes për mungesë transparence mbi aktivitetin e kompanisë.
Deri tani, Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë një reagim publik lidhur me pretendimet e ngritura nga opozita. Gjithashtu, nuk ka një reagim publik as nga Belinda Balluku apo biznesmeni Ron Yeffet mbi akuzat e bëra ndaj tyre.
