Protesta e 39-të kundër qeverisë është shoqëruar edhe me reagime të qytetarëve për koston e jetesës, shërbimet publike dhe situatën ekonomike në vend.
Një nga protestuesit deklaroi se problemet me infrastrukturën dhe furnizimin me ujë vijojnë të jenë shqetësime të përditshme për banorët, ndërsa kritikoi cilësinë e investimeve publike.
“Kam pritur 25 vite që të ndërtohej rruga. U bë para rreth gjashtë muajsh, por asfalti u dëmtua brenda një muaji. Kemi edhe problemin e ujit. Shitet uji më shtrenjtë se qumështi,” u shpreh ai.
Qytetari tha se edhe pse është në punë, paga nuk i mjafton për të përballuar shpenzimet e familjes, ndërsa u ndal edhe te gjendja ekonomike e pensionistëve.
“Unë punoj, por me këtë rrogë nuk mbaj dot familjen. Pse nuk e vënë veten në rolin e një pensionisti?” deklaroi protestuesi.
Ai kritikoi gjithashtu nivelin e çmimeve dhe kostot që, sipas tij, rëndojnë mbi qytetarët.
“Paguajmë para pa fund, ndërkohë që shteti duhet të ofrojë shërbime me çmime më konkurruese,” tha ai.
Protesta vijon me marshimin e qytetarëve drejt godinës së Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes.
