Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për të financuar me 4.2 milionë euro koncertin e artistit Kanye West, duke e cilësuar përdorimin e fondit rezervë të shtetit si një shkelje të frymës së Kushtetutës.
Në një deklaratë për mediat, Zhupa u shpreh se organizimi i koncerteve apo ardhja e artistëve ndërkombëtarë nuk është problem në vetvete, por theksoi se një aktivitet privat duhet të financohet nga organizatorët përmes shitjes së biletave, sponsorëve dhe investimeve private, jo nga fondet publike.
Sipas saj, përdorimi i rreth 4.2 milionë eurove nga fondi rezervë i emergjencave për këtë koncert përbën një precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës, i cili parashikon nxjerrjen e akteve normative vetëm në raste nevoje dhe urgjence.
Zhupa argumentoi se fondi rezervë është krijuar për situata të jashtëzakonshme, si tërmetet, përmbytjet, zjarret apo fatkeqësitë natyrore, dhe jo për financimin e aktiviteteve private.
Deputetja demokrate ngriti gjithashtu shqetësimin se Shqipëria vijon të përballet me mungesa në mbrojtjen civile, shërbimet shëndetësore dhe sektorë të tjerë jetikë, duke shtuar se fondet publike do të ishin më të dobishme në këto fusha sesa për një koncert.
Në përfundim, Zhupa i bëri thirrje Kuvendit të mos miratojë aktin normativ, duke theksuar se deputetët kanë detyrimin kushtetues të ushtrojnë kontroll parlamentar dhe të mos legjitimojnë, sipas saj, një vendimmarrje që cenon parimet e administrimit të fondeve publike.
