Shqiptarët kanë vrarë frikën’, gazeta italiane: Edi Rama nuk është më i paprekshëm

Data

Mobilizimi më i madh popullor që Shqipëria ka përjetuar në dekadat e fundit vazhdon: aftësia për t’u përhapur përmes mediave sociale dhe përpjekjet për ta delegjitimuar atë.

“Arritja më e rëndësishme e protestës është ajo që organizatorët e quajnë vrasja e frikës. Shqiptarët nuk e perceptojnë më pushtetin e kryeministrit Edi Rama si të paprekshëm. Ky ndryshim psikologjik mund të jetë pasoja më e rëndësishme e kësaj lëvizjeje”.

Për gazetaren investigative Xhesika Tollia, e cila prej më shumë se një muaji ndjek në terren manifestimet e Revolucionit Flamingo për portalin investigativ Shteg, ky është momenti i kthesës së mobilizimit më të madh popullor që Shqipëria ka njohur në dekadat e fundit. Më shumë se kërkesat politike, sipas saj, ka ndryshuar marrëdhënia mes qytetarëve dhe pushtetit.

Për këtë është i bindur edhe Endrin Hysa, 37 vjeç, italian me origjinë shqiptare. Ai jeton prej vitesh në Itali, por kur protestat shpërthyen vendosi t’i bashkohej diasporës dhe të kthehej në Shqipëri për të marrë pjesë në manifestime.

“Omerta (heshtja e imponuar nga frika) ka qenë gjithmonë një nga të këqijat më të mëdha të këtij populli. Për dekada me radhë shqiptarët mbetën të izoluar nga bota gjatë komunizmit. Pas rënies së tij, shumë njerëz përfunduan duke pranuar në mënyrë pasive një politikë thellësisht të korruptuar,” thotë 37-vjeçari.

Më pas ai rrëfen disa episode nga fëmijëria e tij: “Kur isha fëmijë jetoja në Durrës dhe të gjithë e dinim se ai pallat shumëkatësh ishte ndërtuar nga mafia, ose ai lokali, apo ai tjetri ngjitur. Për ne prania e krimit të organizuar ishte normalitet,” shpjegon Endrini.

Më pas ai shton: “Për këtë arsye kam menduar gjithmonë se Shqipëria nuk do të mund të ndryshonte kurrë për sa kohë që do të vazhdonte ky heshtje kolektive. Kur pashë në Instagram mijëra njerëz që dilnin në rrugë, e kuptova se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Për herë të parë pashë shqiptarët të çliroheshin nga frika. Dhe unë duhej të isha këtu”.

Historia e tij tregon edhe një element tjetër dallues të Revolucionit Flamingo: aftësinë për t’u përhapur përmes rrjeteve sociale më shumë sesa përmes medieve tradicionale.

“Bëhet fjalë për një protestë jo tradicionale,” shpjegon gazetarja Tollia. “Ajo mbështetet fort te rrjetet sociale dhe përdor mënyra komunikimi tipike të brezave të rinj. Kushdo që ka një telefon inteligjent dhe një lidhje interneti mund të publikojë një video që mund të bëhet virale brenda pak orësh”.

Për këtë arsye, vëren Tollia, lëvizja nuk ka qenë kurrë e varur nga mbulimi i mediave tradicionale, qoftë kombëtare apo ndërkombëtare.

“Protesta u përhap përmes algoritmeve të rrjeteve sociale. Dhe pikërisht për këtë arsye edhe kryeministri Rama e ka cilësuar disa herë algoritmin si ‘fajtor’”.

Sipas gazetares shqiptare, kryeministri u përpoq që në fillim të kontrollonte narrativën: “Fillimisht u përpoq t’i minimizonte protestat. Më pas, kur u bë e qartë se ato përfaqësonin një realitet politik që nuk mund të injorohej më, filloi të kërkonte elemente për t’i delegjitimuar”.

Sipas saj, Rama fillimisht foli për një “luftë hibride”.

“Ai pretendoi se lëvizja ndikohej nga interesa ruse ose iraniane. Kur këto shpjegime nuk gjetën mbështetje në opinionin publik, filloi të identifikonte protestues të veçantë, duke publikuar emrat dhe fotografitë e tyre në kanalet e tij në rrjetet sociale.”

Ndërkohë, klima në sheshe është bërë më e tensionuar.

Ditët e fundit kanë ndodhur përplasje dhe disa arrestime. Megjithatë, një nga thirrjet që dëgjohet më shpesh mbetet: “Policia është me ne.”

“Përdorimi i forcës nuk mund të justifikohet duke thënë se disa protestues hodhën miell ose vezë drejt automjeteve të deputetëve,” thotë Tollia.

“Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim institucional lidhur me dhunën e denoncuar nga disa të arrestuar. Kemi parë njerëz tashmë të neutralizuar dhe të shtrirë në tokë që goditeshin me shkopinj gome.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related