Revista italiane Rivista Studio ka publikuar një analizë të autorit Lajdi Sulaj mbi librin “The Albanian Files”, botuar nga Lars Müller Publishers, ku trajtohen transformimet urbane dhe arkitekturore të Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
Sipas analizës, botimi përmbledh 523 projekte arkitekturore të realizuara ose të planifikuara nga dhjetëra studio ndërkombëtare dhe argumenton se ndryshimet urbane në vend janë udhëhequr kryesisht nga vendimmarrja politike dhe nga bashkëpunimi me arkitektë të njohur ndërkombëtarë.
Autori lidh përmbajtjen e librit me debatin mbi mënyrën e zhvillimit të territorit shqiptar, transparencën në përzgjedhjen e projekteve dhe ndikimin e tyre në mjedis, planifikimin urban dhe interesin publik. Në analizë theksohet se shumë projekte janë realizuar pa konkurse publike, ndërsa vihet në dukje mungesa e arkitektëve shqiptarë mes autorëve të projekteve të përfshira në botim.
Një pjesë e analizës ndalet edhe te ndryshimet ligjore që lidhen me investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura, duke argumentuar se ato kanë lehtësuar zhvillimin e projekteve turistike dhe rezidenciale në territore me ndjeshmëri të lartë mjedisore. Si shembull përmenden projektet e propozuara në zonën e Vjosa–Nartës dhe në ishullin e Sazanit.
Artikulli trajton gjithashtu protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit në Shqipëri, të cilat sipas autorit pasqyrojnë kundërshtimin ndaj mënyrës së zhvillimit urban, perceptimeve për mungesë transparence dhe përqendrimit të vendimmarrjes.
Në përfundim, analiza argumenton se debati nuk lidhet vetëm me arkitekturën apo ndërtesat individuale, por me mënyrën se si planifikohen qytetet, menaxhohet territori dhe balancohet zhvillimi ekonomik me mbrojtjen e mjedisit dhe interesit publik.
