Afera e Porto Romanos në SPAK: Shkelje ligjore, tender i manipuluar dhe përjashtimi i gjigantëve ndërkombëtarë për një fitues të vetëm

Data

Një kallëzim penal i depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) ka vënë në qendër të hetimeve procedurën e tenderimit për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano, duke hedhur dyshime serioze për shkelje ligjore, konflikt interesi dhe manipulim të procesit në favor të një kompanie të vetme.

Sipas dokumenteve që tashmë ndodhen në SPAK, i gjithë procesi – nga projektimi deri te faza finale e vlerësimit të ofertave – është shoqëruar nga afate të parregullta, komisione të njëanshme dhe vendimmarrje që kanë çuar në eliminimin sistematik të kompanive më të fuqishme ndërkombëtare në ndërtimin e porteve.

Si nisi procedura

Procedura lidhet me projektin e nisur në vitin 2021 për zhvillimin e zonës së Porto Romanos. Projekti teknik u përfundua në fund të vitit 2022, ndërsa në korrik 2024 u hap tenderi për fazën e parë të ndërtimit, me një fond prej rreth 39.3 miliardë lekësh, afro 400 milionë euro. Pas rihapjes së procedurës, në garë u paraqitën pesë kompani ndërkombëtare të nivelit më të lartë.

Në fazën e kualifikimit, vetëm dy kompani u shpallën të pranueshme, ndërsa katër gjigantë ndërkombëtarë u skualifikuan. Këtu, sipas kallëzimit, nisën edhe shkeljet më flagrante.

Konflikt interesi dhe komision i kontestuar

Një nga pikat kyçe të kallëzimit është përbërja e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ku përfshiheshin persona të lidhur drejtpërdrejt me kompaninë që kishte hartuar projektin teknik dhe dokumentet e tenderit. Sipas kallëzuesve, kjo përbën konflikt të hapur interesi dhe shkelje të legjislacionit për prokurimet publike.

Po ashtu, ngrihen dyshime për pagesa të fryra dhe tarifa jashtë çdo standardi për ekspertët e huaj dhe vendas të përfshirë në proces.

Përjashtimi i ofertuesve të fortë

Dokumentet në SPAK përshkruajnë se si një nga kompanitë më të fuqishme evropiane u përjashtua për arsye procedurale, pa u njoftuar në kohë dhe pa pasur mundësi reale ankimi. Afatet për dorëzimin e dokumenteve u konsideruan të pamundura për t’u respektuar, ndërsa kërkesat për shtyrje u refuzuan pa argument ligjor.

Në një rast tjetër, një konsorcium ndërkombëtar u përjashtua për mungesë dokumentacioni dytësor, ndërkohë që për të ushtruar të drejtën e ankimit iu kërkua pagesa e një shume shumë të lartë brenda një afati minimal, çka praktikisht e bllokoi ankesën.

Tender me një fitues të paracaktuar

Pas eliminimit të të gjithë konkurrentëve seriozë, në garë mbeti vetëm një kompani e regjistruar në Qipro, e lidhur me interesa rajonale. Kallëzimi ngre dyshime se procedura u riformatua në mënyrë të qëllimshme për t’i hapur rrugë kësaj kompanie, duke hequr kërkesa si garancia bankare dhe duke shmangur konkurrencën reale.

Sipas kallëzimit, kompania fituese nuk ka paraqitur asnjë pyetje teknike gjatë gjithë procesit, çka interpretohet si tregues se rezultati ishte i paracaktuar.

Rrezik strategjik dhe siguri kombëtare

Një pjesë e dosjes i referohet edhe dimensionit strategjik të projektit, duke theksuar se Porto Romano parashikohet si port me rëndësi për NATO-n. Sipas kallëzuesve, mënyra e zhvillimit të tenderit dhe përjashtimi i kompanive perëndimore përbën rrezik për interesat strategjike dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në dhe aleatët.

Po ashtu, ngrihen shqetësime serioze për aspektet teknike të projektit, duke përmendur rreziqe gjeologjike, sizmike dhe mungesë funksionaliteti real të fazës së parë të portit.

Çfarë kërkohet nga SPAK

Në përfundim, kallëzimi i kërkon SPAK-ut të hetojë të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes: nga hartimi i dokumenteve, përbërja e komisioneve, skualifikimet selektive, deri te kontraktimi final. Synimi është verifikimi i ligjshmërisë së procedurës dhe zbardhja e çdo përgjegjësie penale apo ndikimi të paligjshëm në një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related