Ish-deputeti Petrit Vasili deklaroi se protesta qytetare përfaqëson reagimin më të fortë ndaj asaj që ai e cilësoi si “narkoshtet”, duke akuzuar qeverinë për kapjen e institucioneve dhe shkatërrimin e shtetit ligjor.
Në një intervistë televizive, Vasili u shpreh se protesta ka marrë përmasa të mëdha për shkak të kërkesave të qarta për llogaridhënie, barazi para ligjit dhe funksionimin e institucioneve.
Sipas tij, qytetarët kërkojnë që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.
“Protesta është përgjigjja më e fortë ndaj narkoshtetit. Nuk ka rrugë tjetër për t’u përballur me një sistem të tillë përveç një proteste të vendosur dhe paqësore”, u shpreh Vasili.
Ai akuzoi kryeministrin se ndodhet nën presione politike dhe kriminale, ndërsa pretendoi se institucionet shtetërore dhe sistemi i drejtësisë nuk po veprojnë ndaj çështjeve që, sipas tij, implikojnë kreun e qeverisë.
Vasili përmendi si shembuj çështjen McGonigal, aferën e inceneratorëve, Becchettin dhe projekte të tjera, duke pretenduar se nuk ka pasur hetime të plota ndaj përgjegjësive politike.
Sipas tij, protesta është kthyer në një kërkesë të vazhdueshme për rivendosjen e shtetit ligjor dhe të barazisë para ligjit.
“Qytetarët kërkojnë që kryeministri dhe çdo qytetar të trajtohen njësoj përpara ligjit. Kjo është arsyeja pse protesta vazhdon dhe pse njerëzit nuk tërhiqen,” deklaroi Vasili.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, dorëheqja do të ishte zgjidhja politike më e drejtë në një situatë të tillë, ndërsa theksoi se protestat do të vazhdojnë derisa të ketë, sipas tij, llogaridhënie dhe funksionim normal të institucioneve.
