Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka drejtuar kritika të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e cilësuar atë si pengesën kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Në një intervistë televizive, Salianji u shpreh se Berisha e ka shndërruar Partinë Demokratike në një instrument për interesa personale dhe se, sipas tij, kjo ka penguar krijimin e një alternative politike për qytetarët.
“Berisha sot është pengesa për të rrëzuar Ramën. Kjo është arsyeja pse në protesta dëgjohen edhe thirrje kundër tij. Avantazhi më i madh i Ramës është vetë Berisha”, deklaroi Salianji.
Sipas tij, protestat e javëve të fundit nuk janë vetëm kundër qeverisë, por shprehin edhe pakënaqësi ndaj drejtimit aktual të opozitës.
Salianji i bëri thirrje Berishës që, nëse deklaron se mbështet kërkesat e protestuesve, të japë dorëheqjen nga drejtimi i PD-së.
“Nëse je me protestuesit, jep dorëheqjen. Vetë ke thënë se je në krah të kërkesave të tyre. Një nga kërkesat është largimi i Ramës dhe Berishës”, u shpreh ai.
Ish-deputeti komentoi edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Partisë Demokratike në protesta, duke argumentuar se prania e tyre interpretohet si mbështetje për ndryshime edhe brenda vetë PD-së.
Në vijim, Salianji kritikoi mënyrën e përzgjedhjes së Kryesisë së re të Partisë Demokratike, duke pretenduar se gara ka qenë e paracaktuar dhe se janë lënë jashtë figura që kanë marrë mbështetje të konsiderueshme nga anëtarësia dhe elektorati.
Ai përmendi si shembuj disa kandidatë që, sipas tij, kanë siguruar rezultat të mirë në zgjedhje apo në votimet e brendshme të partisë, por nuk janë përfshirë në strukturat drejtuese.
Duke iu përgjigjur akuzave të Sali Berishës dhe Flamur Nokës se po i shërben Partisë Socialiste, Salianji deklaroi se ka qenë përballë qeverisë edhe me pasoja personale.
“Unë kam bërë burg nga Rama, ndërsa ata kanë bërë para. Kam fituar përballë Ramës, ndërsa ata janë mposhtur vazhdimisht që nga viti 2013”, u shpreh Salianji.
