Të shtëna me armë gjatë festës së 4 Korrikut në Nju Jork, plagosen tetë persona, mes tyre katër fëmijë

Data

Të paktën tetë persona, mes tyre katër fëmijë, mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri gjatë një feste familjare me rastin e 4 Korrikut në lagjen Coney Island të Bruklinit, në Nju Jork.

Sipas Policisë së Nju Jorkut (NYPD), ngjarja ndodhi rreth orës 22:35, kur një person i veshur tërësisht me të zeza dhe me maskë në fytyrë iu afrua një banese përgjatë Surf Avenue dhe hapi zjarr ndaj të pranishmëve, përpara se të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Nga të shtënat mbetën të plagosur katër djem të moshave 6, 7, 12 dhe 14 vjeç, dy gra 21 dhe 25 vjeçe, si dhe dy burra 33 dhe 37 vjeç.

Autoritetet bëjnë të ditur se 21-vjeçarja dhe 33-vjeçari u qëlluan në gjoks, ndërsa fëmija 6-vjeçar mori një plagë në bark. Tre të miturit e tjerë u plagosën në këmbë. Gruaja 21-vjeçare ndodhet në gjendje kritike, ndërsa shtatë të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, dënoi ashpër sulmin, duke deklaruar se dhuna me armë nuk ka vend në qytet.

“Ndajmë dhimbjen me familjet e të plagosurve dhe do të përdorim çdo mjet për të garantuar që qytetarët të jenë të sigurt gjatë festave dhe në jetën e përditshme,” u shpreh ai.

Policia nuk ka bërë ende të ditur identitetin e autorit apo motivin e sulmit. Komisionerja e NYPD-së, Jessica Tisch, deklaroi se gjatë festës nuk ishte raportuar asnjë konflikt përpara të shtënave.

Hetuesit po verifikojnë nëse sulmi ka lidhje me një vrasje të ndodhur javën e kaluar në të njëjtën zonë, e cila dyshohet të ketë qenë e lidhur me aktivitetin e bandave kriminale.

Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një armë e tipit TEC-9 dhe dhjetë gëzhoja, ndërsa kërkimet për autorin vijojnë.

Pak orë më vonë, një tjetër incident me armë zjarri u regjistrua në lagjen Crown Heights të Bruklinit. Një detektiv i NYPD-së u qëllua gjatë përballjes me një 18-vjeçar të armatosur, por plumbi u ndal nga jeleku antiplumb dhe efektivi nuk pësoi lëndime serioze.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related