Aksidenti i autobusit Berat-Tiranë/ Nënë e bijë dërgohen për mjekim në Greqi, familja hap fushatë për mbledhjen e fondeve

Data

Floresha Lazaj, 51 vjeçe, dhe vajza e saj, Oriada Lazaj, 26 vjeçe, të plagosura rëndë në aksidentin e autobusit të linjës Berat-Tiranë më 30 qershor, janë transferuar në Greqi për trajtim të specializuar mjekësor.

Përballë kostove të larta të ndërhyrjeve kirurgjikale dhe rehabilitimit, familjarët kanë hapur një fushatë në platformën GoFundMe për të siguruar fondet e nevojshme.

Në mesazhin e publikuar, familja bën të ditur se Oriada, infermiere 26-vjeçare në repartin e Reanimacionit të Maternitetit “Koço Gliozheni”, dhe nëna e saj po përballen me pasoja të rënda pas aksidentit.

“Sot, motra ime dhe nëna ime kanë nevojë urgjente për ndërhyrje të tjera kirurgjikale. Çdo operacion u jep mjekëve një mundësi tjetër për të shpëtuar sa më shumë funksione, lëvizshmëri dhe pavarësi”, thuhet në apelin e familjes.

Si pasojë e aksidentit, të dyja kanë humbur nga një këmbë. Gjendja e Oriadës mbetet më kritike, pasi ajo ka pësuar dëmtime të rënda edhe në gjymtyrën tjetër, si dhe fraktura në kofshë dhe legen, çka ka bërë të domosdoshëm trajtimin në një qendër të specializuar jashtë Shqipërisë.

Ndërkohë, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka bërë thirrje për dhurim gjaku për Oriadën, duke iu drejtuar veçanërisht shqiptarëve që jetojnë në Greqi. Sipas njoftimit, gjaku mund të dhurohet në çdo spital ose klinikë me bankë gjaku, në emër të Oriada Lazajt, ndërsa transporti drejt spitalit ku ajo po trajtohet do të kryhet sipas procedurave përkatëse.

Aksidenti

Ngjarja ndodhi më 30 qershor, kur autobusi i linjës Berat-Tiranë doli nga rruga pasi drejtuesi i mjetit, 36-vjeçari Redion Hasimi, dyshohet se pësoi arrest kardiak gjatë drejtimit.

Nga aksidenti mbetën të plagosur 12 pasagjerë. Mes tyre ishte edhe një fëmijë 9-vjeçar, i cili u transportua në gjendje shumë të rëndë në një spital privat në Tiranë, ku mjekët arritën ta rikthenin në jetë përmes procedurave të reanimimit, përpara se të transferohej për trajtim të mëtejshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related