Dosja “SASPAC”/ Ilir Beqaj kundërshton paraburgimin: Po mbahem në burg pa fakte të reja që justifikojnë masën

Data

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka kundërshtuar sërish vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të caktuar ndaj tij në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen “SASPAC”, duke pretenduar se paraburgimi i tij nuk mbështetet më në fakte të reja konkrete.

Përmes një deklarate të publikuar nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj, Beqaj argumenton se gjatë dy viteve të fundit gjykatat kanë ndryshuar vazhdimisht arsyetimin mbi ekzistencën e rreziqeve procedurale, ndërsa masa e sigurisë ka mbetur e pandryshuar.

Sipas tij, vendimet gjyqësore kanë alternuar vlerësimet për rrezikun e largimit, prishjes së provave dhe përsëritjes së veprës penale, pa identifikuar fakte të reja që justifikojnë rikthimin e këtyre elementeve.

“Po mbahem në paraburgim pa fakte të reja konkrete. Përfundimi mbetet i njëjtë – arrest me burg – ndërsa arsyet ndryshojnë nga një vendim në tjetrin”, shprehet Beqaj në deklaratë.

Ai rendit kronologjinë e vendimeve të Gjykatës së Posaçme dhe të Gjykatës së Lartë, duke theksuar se në disa faza të procesit është konsideruar se ekzistonte vetëm rreziku i largimit, ndërsa në vendime të mëvonshme janë rikthyer edhe rreziqet e tjera, sipas tij pa argumentim të ri.

Beqaj pretendon se, pas vendimit të Gjykatës së Lartë në janar 2025, çdo gjykatë që do të rikthente si argument rrezikun e prishjes së provave apo të përsëritjes së veprës penale duhej të identifikonte një fakt të ri konkret, lidhjen e tij me të pandehurin, rrezikun që krijonte dhe arsyen pse një masë më e lehtë sigurie nuk do të ishte e mjaftueshme.

Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur, çka, sipas deklaratës, krijon një mungesë koherence në vendimmarrjen gjyqësore.

Ilir Beqaj është nën akuzë nga SPAK për pesë vepra penale: “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tenderë”, “falsifikim dokumentesh”, “mashtrim” në bashkëpunim dhe “mosdeklarim të pasurisë”. Ai i ka mohuar akuzat dhe vijon të kërkojë zëvendësimin e masës së sigurisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related