Pesë automjete të tonazhit të rëndë janë shkrumbuar nga flakët në një gurore në fshatin Shpërdhet, në Kurbin, ndërsa policia dyshon se zjarri është vendosur qëllimisht.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 4 korrikut. Rreth orës 02:30, administratori i gurores, shtetasi me iniciale B. A., ka njoftuar policinë se pesë kamionë të përdorur në aktivitetin e subjektit ishin përfshirë nga flakët.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, identifikuar autorët dhe dokumentuar plotësisht rastin.
Policia nuk ka bërë ende të ditur motive të mundshme, ndërsa hetimet vijojnë.
