Arrestohet 57-vjeçari i dyshuar për zjarrin në malin e Shëngjinit, policia: Tentoi të fshihte provat

Data

Policia e Lezhës ka arrestuar një 57-vjeçar, të dyshuar si autor i zjarrit që përfshiu malin e Shëngjinit, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi me inicialet B. A., banues në Shëngjin, dyshohet se më 3 korrik 2026 ka ndezur zjarr për djegien e mbeturinave pranë subjektit të tij tregtar në zonën e quajtur “Sagë”. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në masivin pyjor të malit të Shëngjinit.

Gjatë përhapjes së zjarrit është regjistruar edhe një shpërthim, i dyshuar si pasojë e aktivizimit të një predhe luftarake të pashpërthyer nga temperaturat e larta. Si pasojë është dëmtuar lehtë një 30-vjeçar, i cili ndodhej si pasagjer në një automjet që kalonte në zonë. Ai ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Hetimet paraprake kanë zbuluar gjithashtu se në subjektin e të dyshuarit ishte hequr pajisja DVR e kamerave të sigurisë, veprim që, sipas policisë, dyshohet të jetë kryer me qëllim pengimin e zbardhjes së ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve procedurale, 57-vjeçari u vu në pranga dhe akuzohet për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”.

Policia e Lezhës u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarrvënie. Autoritetet ftojnë qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar në numrin 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe ruajtjen e anonimatit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related