Analisti Ergys Mërtiri e ka cilësuar protestën qytetare si një nga zhvillimet më të rëndësishme të 35 viteve të fundit në Shqipëri, duke vlerësuar karakterin e saj qytetar dhe kërkesat për ndryshim të sistemit politik.
Në një intervistë televizive, Mërtiri u shpreh se protesta përfaqëson një pjesë të shoqërisë që nuk identifikohet me partitë politike tradicionale dhe që kërkon reforma të thella, përtej rotacionit të zakonshëm politik.
Sipas tij, lëvizja nuk synon vetëm zëvendësimin e një force politike me një tjetër, por një transformim të modelit të qeverisjes dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.
“Është një protestë që nuk kërkon thjesht largimin e një partie dhe ardhjen e një tjetre, por një ndryshim rrënjësor të politikës së 35 viteve të fundit,” u shpreh Mërtiri.
Ai argumentoi se pakënaqësia qytetare lidhet me fenomenin e emigracionit, mungesën e shpresës dhe ndjenjën e mos përfaqësimit politik.
Mërtiri kritikoi mënyrën se si, sipas tij, protesta është trajtuar nga aktorët politikë, duke thënë se ndaj pjesëmarrësve janë përdorur etiketime, teori konspirative dhe sulme verbale. Sipas tij, këto reagime tregojnë krizën e përfaqësimit dhe nivelin e debatit politik në vend.
Duke komentuar incidentet e dhunshme gjatë protestave, ai u shpreh se episodet e izoluara nuk përfaqësojnë thelbin e lëvizjes qytetare, e cila, sipas tij, mbetet kryesisht paqësore.
Analisti vlerësoi gjithashtu se politika shqiptare vazhdon të dominohet nga personalizimi i pushtetit dhe “kulti i individit”, duke argumentuar se ky model ka prodhuar servilizëm dhe ka kufizuar zhvillimin e lidershipit të ri politik.
Në fund të intervistës, Mërtiri u shpreh se protesta duhet të mbetet e hapur për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe forcave të reja politike që identifikohen si anti-sistem, ndërsa vlerësoi se institucionet e drejtësisë, veçanërisht SPAK, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e rritjes së llogaridhënies publike.
