Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, deklaroi se përfaqësuesit fillestarë të protestës qytetare pritet të zhvillojnë një dalje publike së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të institucioneve, për të diskutuar dhe sqaruar çështjet që lidhen me projektin e investimit në Zvërnec.
E ftuar në një studio televizive, Mila u shpreh se situata po kalon drejt dialogut, duke argumentuar se në fazën e parë të debatit ka pasur, sipas saj, dezinformim dhe paqartësi.
“Shumë shpejt do të ketë një sqarim. Edhe përfaqësuesit fillestarë të protestës do të dalin me zë dhe figurë, së bashku me kryeministrin dhe organet kompetente, për të sqaruar opinionin publik. Besoj se jemi në rrugën e dialogut,” deklaroi ajo.
Mila shtoi se qeveria e konsideron mandatin e saj të mbështetur nga rezultati zgjedhor dhe ritheksoi se prioriteti kryesor mbetet procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Deklaratat e deputetes pasqyrojnë qëndrimin e saj politik. Deri tani nuk ka pasur një konfirmim publik nga organizatorët e protestës lidhur me një dalje të përbashkët ose nisjen e një procesi zyrtar dialogu me qeverinë.
