Protestuesit që prej 32 ditësh zhvillojnë tubime në Tiranë marshuan edhe këtë mbrëmje nga godina e Kryeministrisë drejt Kuvendit të Shqipërisë, duke vijuar itinerarin e protestave të përditshme.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje dhe slogane kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama, si edhe ndaj figurave të tjera politike. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit dhe përsëritën qëndrimet e tyre për ndryshime politike.
Më herët, tubimi u zhvillua përpara godinës së Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit mbajtën fjalime dhe shpalosën pankarta me mesazhe kundër qeverisë.
Sipas organizatorëve, kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit. Ata njoftuan se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe u bënë thirrje qytetarëve t’u bashkohen protestave.
