Delegacioni i Grupit të të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane (Green/EFA) në Parlamentin Evropian ka përfunduar një mision faktmbledhës në Shqipëri, i fokusuar në zhvillimet që lidhen me zonën e mbrojtur të lagunës Vjosë–Nartë, projektin turistik në Zvërnec dhe protestat qytetare të zhvilluara në Tiranë.
Në një konferencë për mediat në Tiranë, eurodeputetja Tineke Strik deklaroi se gjatë vizitës në terren delegacioni konstatoi dëmtime në zonën e mbrojtur, të cilat, sipas saj, ngrenë shqetësime për pajtueshmërinë me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.
Strik tha se gjatë takimit me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, delegacioni nuk mori garanci se aktivitetet në zonë do të pezulloheshin deri në përfundimin e procedurave të vlerësimit mjedisor.
Sipas saj, ministri argumentoi se ndërhyrjet ishin të nevojshme për kryerjen e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe premtoi një periudhë 20-ditore konsultimi publik. Megjithatë, eurodeputetja u shpreh se këto shpjegime nuk adresojnë shqetësimet e ngritura nga delegacioni.
Delegacioni ngriti gjithashtu shqetësime për ndryshimet në legjislacionin mbi zonat e mbrojtura. Strik tha se nuk u morën garanci për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore, ndërsa ministri, sipas saj, argumentoi se harmonizimi i plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian do të përfundojë deri në fund të vitit 2027.
Eurodeputetja komentoi edhe zhvillimet politike që shoqëruan miratimin e rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar si ndërhyrje politike komunikimin e përfaqësuesve të mazhorancës shqiptare me eurodeputetët lidhur me një amendament për zonat e mbrojtura.
Në lidhje me protestat qytetare, Strik deklaroi se demonstratat kanë ngritur shqetësime më të gjera për konsultimin publik, transparencën dhe luftën kundër korrupsionit. Ajo kritikoi, sipas vlerësimit të saj, mënyrën se si janë trajtuar protestuesit, duke bërë thirrje që institucionet të respektojnë standardet demokratike dhe të garantojnë lirinë e tubimit paqësor.
Delegacioni vlerësoi gjithashtu rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar që hetimet të zhvillohen pa ndërhyrje politike dhe që të forcohet shteti i së drejtës.
Delegacioni i Green/EFA përbëhej nga eurodeputetët Tineke Strik, Jutta Paulus, Cristina Guarda, Anna Strolenberg, Nicolae Ștefănuță dhe Daniel Freund, si edhe nga përfaqësues të tjerë të partive të gjelbra evropiane. Gjatë vizitës në Shqipëri, ata zhvilluan takime institucionale, vizituan zonën e Zvërnecit dhe morën pjesë në një prej protestave qytetare të organizuara në Tiranë.
