Hetimet paraprake mbi aksidentin tragjik të autobusit në autostradën Durrës–Tiranë kanë ngritur dyshime se drejtuesi i mjetit mund të ketë humbur ndjenjat pak çaste para përplasjes.
Sipas burimeve hetimore, shoferi dyshohet se ka pësuar një problem të papritur shëndetësor gjatë udhëtimit, çka mund të ketë bërë që autobusi të dalë nga kontrolli. Mjeti fillimisht është përplasur me bordurën e rrugës dhe më pas me barrierat metalike të autostradës.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, grupi hetimor nuk ka konstatuar shenja frenimi në asfalt, duke përforcuar dyshimin se drejtuesi nuk ka pasur mundësi të reagojë për të ulur shpejtësinë ose për të shmangur aksidentin.
Ekspertiza paraprake e Policisë Rrugore tregon se autobusi po lëvizte me rreth 90 km/orë, brenda kufirit të lejuar të shpejtësisë për atë segment rrugor.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë pranë vendit të aksidentit. Sipas burimeve, në to nuk vërehet tentativë për frenim, ndërsa njëra prej pamjeve dyshohet se tregon momentin kur shoferi humbet kontrollin mbi mjetin. Autoritetet po analizojnë materialet filmike për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes.
Verifikimet teknike kanë treguar se autobusi nuk kishte defekte mekanike dhe kishte kaluar kontrollin teknik rreth një muaj më parë. Po ashtu, drejtuesi 36-vjeçar rezultonte pa shkelje të mëparshme të rregullave të qarkullimit rrugor.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkakun e aksidentit.
