Momente tensioni janë regjistruar gjatë protestës së zhvilluar përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku një grup protestuesish është përplasur me efektivët e Policisë te hyrjet e godinës.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, protestuesit kanë tentuar të afrohen pranë hyrjes së Parlamentit, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë për t’i ndaluar, duke sjellë shtyrje dhe përplasje mes palëve.
Gjatë protestës janë dëgjuar edhe thirrje drejtuar efektivëve të Policisë, përfshirë “Hiqni kapelet”, ndërsa hyrjet e Kuvendit janë bllokuar përkohësisht nga protestuesit.
Tubimi, që po zhvillohet paralelisht me seancën plenare, ka hyrë në orën e tretë. Pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilën e kanë cilësuar si të panegociueshme, ndërsa kanë drejtuar kritika edhe ndaj opozitës, duke e shoqëruar protestën me thirrje si “opozitë e shitur”.
Në zonën përreth Kuvendit vijojnë të jenë të pranishme forca të shumta policore, të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë.
