Një protestë është paralajmëruar për paraditen e sotme përpara godinës së Parlamentit, në kuadër të ditës së 31-të të mobilizimit qytetar kundër qeverisë.
Tubimi do të nisë në orën 10:00, njëkohësisht me zhvillimin e seancës plenare, dhe do të mbahet nën sloganin: “Ndryshimi fillon me ne, është koha të zgjohemi”.
Njoftimi u bë mbrëmjen e së hënës nga organizatorët e protestave, të cilët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në qeverisjen e vendit.
Sipas organizatorëve, mobilizimi do të vijojë edhe në mbrëmje. Në orën 19:00 është parashikuar grumbullimi i protestuesve në Sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas do të nisë marshimi drejt godinës së Kryeministrisë.
Ndërkohë, autoritetet pritet të angazhojnë forca policore për garantimin e rendit publik dhe menaxhimin e qarkullimit gjatë zhvillimit të protestave.
