Ish-presidenti Ilir Meta ka ndërprerë bashkëpunimin me avokatin Kujtim Cakrani, ndërsa ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar për emrin e mbrojtësit të ri ligjor.
Sipas burimeve pranë paraburgimit 313, të cituara nga gazetarja Anila Hoxha, ditët e fundit në ambientet e institucionit është paraqitur avokati Bujar Musta për të takuar Metën.
Burimet bëjnë me dije se Musta ka depozituar një prokurë përfaqësimi në emër të ish-presidentit, çka ka shtuar spekulimet se ai mund të marrë përsipër mbrojtjen e tij ligjore.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse Bujar Musta do të përfaqësojë Ilir Metën në procesin gjyqësor në themel pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), apo në procedurat që mund të ndiqen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Pritet që kjo çështje të marrë më shumë qartësi në seancën e radhës gjyqësore, e cila është caktuar të zhvillohet më 9 korrik në GJKKO.
Largimi i Kujtim Cakranit u bë publik më herët gjatë ditës, kur vetë avokati njoftoi përfundimin e marrëdhënies profesionale me Metën, duke e lidhur vendimin me humbjen e mirëbesimit dhe mungesën e bashkëpunimit të nevojshëm për vijimin e mbrojtjes ligjore.
