Braçe komenton largimin e Marjana Koçekut nga PS: Të jetë më modeste në deklaratat për partinë

Data

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka komentuar vendimin e deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga grupi parlamentar i PS-së, duke deklaruar se ajo nuk duhet t’i japë leksione partisë, pasi sipas tij nuk ka dhënë kontribut në të.

Në një intervistë televizive, Braçe bëri dallimin mes figurave me eksperiencë në Partinë Socialiste dhe Koçekut, duke përmendur si shembull Elisa Spiropalin.

“Spiropali ka qenë anëtare e Kryesisë dhe ka kontribut në Partinë Socialiste, ndaj i takon të flasë për atë që funksionon ose jo brenda saj. Ndërsa zonjusha tjetër duhet të jetë më modeste. Nuk e njeh Partinë Socialiste, nuk ka kontribuar në të dhe mandatin e ka marrë nga lista e mbyllur e partisë,” u shpreh Braçe.

Ai shtoi se qëndrimet e fundit të Koçekut janë të ndryshme nga ato që ajo ka mbajtur më parë.

“Është tjetër njeri ajo që kam dëgjuar të flasë në Kuvend dhe tjetër ai që po shohim tani. Mendoj se duhet t’ia kursejë vetes komentet për Partinë Socialiste,” deklaroi deputeti socialist.

Braçe e lidhi këtë rast edhe me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, duke argumentuar se nevojitet forcimi i demokracisë së brendshme në partitë politike.

“Prandaj unë kam insistuar gjithmonë te demokracia e brendshme e partive. Sistemi zgjedhor ka kufizimet e veta, por demokracia e brendshme është thelbësore për përfaqësimin politik,” tha ai.

Marjana Koçeku njoftoi më 14 qershor largimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se do ta ushtrojë mandatin si deputete e pavarur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related