Rama i përgjigjet Florjan Haçkës: “Shprehja nuk ishte për shqiptarët. Mandatin e kam deri në vitin 2029”

Data

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale ku i përgjigjet Florjan Haçkës, qytetarit që e kritikoi publikisht pas intervistës së tij për Financial Times dhe përdorimit të shprehjes në anglisht “Fuck you”.

Rama sqaroi se kjo shprehje nuk ishte drejtuar ndaj qytetarëve shqiptarë, por ndaj personave që, sipas tij, e akuzojnë prej vitesh pa paraqitur prova.

“Më çuan videon e këtij djali dhe, përpara se të dëgjoja sharjet, ndjeva sëkëlldinë e tij. Fakti është se unë nuk ua kam thënë shqiptarëve kurrsesi atë fjalë. Gazetari më pyeti si u përgjigjem atyre që më akuzojnë se jam ‘kumbari’ i qeverisë. U përgjigja me fjalën që, sipas meje, meritojnë ata që më akuzojnë prej vitesh pa asnjë provë”, u shpreh Rama.

Reagimi për rastin e babait të qytetarit

Në videon e tij, Florjan Haçka e akuzon kryeministrin për gjendjen e sistemit shëndetësor, duke deklaruar se babai i tij u diagnostikua gabimisht në Shqipëri dhe ndërroi jetë pasi u trajtua jashtë vendit.

Rama tha se, sipas verifikimeve që pretendon se ka bërë, i ndjeri nuk ishte trajtuar në spitalet publike shqiptare, por fillimisht në një spital privat dhe më pas në Austri.

“Më erdhi sinqerisht keq. Përpara se të përgjigjesha, u interesova për rastin. Sipas informacionit që kam marrë, babai i tij nuk ka qenë pacient i një spitali publik, por është trajtuar fillimisht në një spital privat dhe më pas në Vjenë”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se sistemi shëndetësor ka ende nevojë për përmirësime.

“Nuk jap dorëheqjen”

Duke iu përgjigjur thirrjeve për largimin e tij nga detyra, Rama tha se mandati i tij buron nga vota e qytetarëve dhe se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

“Jo, sepse unë kam një kontratë me popullin sovran të Shqipërisë, të firmosur deri në vitin 2029. Populli vendos në zgjedhje dhe do të vendosë përsëri kur t’i vijë radha”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se nuk i barazon qytetarët që protestojnë për shqetësime reale me ata që, sipas tij, manipulojnë protestat për qëllime politike. Ai deklaroi se, pasi të “neutralizohet” ajo që e quajti “e keqja me shumë koka” që ka marrë nën kontroll protestën, do të dialogojë me qytetarët për shqetësimet e tyre dhe mënyrat e adresimit të tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related