Partia e Lirisë ka akuzuar qeverinë për dështim të politikave ekonomike, duke deklaruar se shqiptarët po përballen me çmime të ushqimeve mbi mesataren e Bashkimit Evropian, ndërsa të ardhurat e tyre mbeten ndër më të ulëtat në kontinent.
Në një deklaratë për mediat, zv/sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, iu referua të dhënave të Eurostat dhe INSTAT, sipas të cilave, për herë të parë, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ka tejkaluar mesataren e BE-së.
“Shqiptarët paguajnë ushqimin më shtrenjtë se europianët, por fitojnë më pak se gjysmën e tyre. Të ardhurat për frymë janë vetëm rreth 43% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa konsumi individual arrin në rreth 48% të saj”, u shpreh Haxhiu.
Sipas saj, raportet ndërkombëtare tregojnë gjithashtu se Tirana është ndër kryeqytetet më të shtrenjta në Evropë, ndërsa një familje shqiptare shpenzon pjesën dërrmuese të të ardhurave për mbulimin e kostove të jetesës.
Partia e Lirisë akuzon qeverinë se ka lënë pas dore bujqësinë dhe blegtorinë vendase, duke mos mbështetur fermerët dhe prodhimin vendas, ndërkohë që tregu dominohet nga importet.
“Shqipëria po mbytet nga mallrat e importit, ndërsa fermerët shqiptarë janë lënë pa mbështetje. Janë rritur kostot e prodhimit, janë hequr subvencione dhe produktet e importuara shpesh shiten më shtrenjtë se në vendet e origjinës”, thuhet në deklaratë.
Haxhiu shtoi se rritja e çmimeve, pagat e ulëta dhe pensionet e pamjaftueshme po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi familjet shqiptare, ndërsa mungesa e perspektivës po nxit emigrimin e të rinjve dhe mungesën e fuqisë punëtore.
Në përfundim, Partia e Lirisë kërkon politika që, sipas saj, të mbështesin prodhimin vendas, fermerët, rritjen e pagave dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë vendi ku ushqimi kushton sa në Evropë, ndërsa pagat mbeten ndër më të ulëtat në rajon”, përfundon deklarata.
