Gjatë protestës së zhvilluar përpara godinës së Kryeministrisë, një prej pjesëmarrësve prezantoi ecurinë e një nisme që, sipas tij, synon krijimin e një Kuvendi Kombëtar Qytetar si strukturë përfaqësuese të protestës.
Në fjalën e mbajtur nga podiumi, ai deklaroi se ideja është diskutuar në ditët e fundit dhe ka marrë mbështetje nga një pjesë e protestuesve, ndërsa ka nisur edhe puna organizative.
“Para disa ditësh gjatë protestës kam folur për ngritjen e një Kuvendi Kombëtar Qytetar dhe ka marrë pëlqimin e një pjese të madhe të njerëzve në shesh. I jemi futur punës për ta realizuar këtë. Janë mbledhur rreth 500 anëtarë potencialë, por para se të vazhdojmë kemi nevojë për një miratim apo pëlqim,” u shpreh ai.
Sipas folësit, synimi është që organizmi të përbëhet nga të paktën 300 anëtarë, të cilët, sipas propozimit, do të përfaqësojnë grupime dhe segmente të ndryshme të protestës.
Ai shtoi se përzgjedhja e pjesëmarrësve do të bazohet në miratimin e protestuesve dhe jo në vetëemërime.
“Secili do të vijë para popullit dhe të marrë miratimin nga populli. Nuk do të ketë asnjë që të jetë i zgjedhur nga vetja, vetëm me miratimin e popullit protestues,” deklaroi ai.
Propozimi u prit me duartrokitje nga një pjesë e pjesëmarrësve, ndërsa organizatorët e protestës nuk kanë bërë ende të ditur nëse kjo nismë do të formalizohet në ditët në vijim.
