Gjatë protestës së zhvilluar përpara godinës së Kryeministrisë, një prej protestuesve u bëri thirrje publike institucioneve të drejtësisë, në veçanti Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që të ndërmarrin hetime ndaj zyrtarëve të lartë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për zgjidhjen paqësore të krizës politike.
Në fjalën e tij, protestuesi u shpreh se SPAK duhet të veprojë ndaj çdo personi që dyshohet për përfshirje në afera korruptive, pavarësisht përkatësisë politike.
“Thirrje SPAK që ta bëjë të mundur që ky revolucion të ndodhë paqësisht. Sot SPAK e ka mundësinë të bëhet hero për fëmijët tanë, që kur ata të rriten dhe të gëzojnë Shqipërinë e re, të kenë heronj prokurorët e SPAK,” deklaroi ai.
Më tej, protestuesi kërkoi hetime ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë që, sipas tij, duhet të mbajnë përgjegjësi nëse rezultojnë të përfshirë në çështje korruptive.
“Hetoni Edi Ramën, ministrat në afera korruptive, çojini në burg. Patjetër edhe Berishën,” u shpreh ai.
Protesta e 28-të kundër qeverisë po vijon me fjalime të qytetarëve dhe aktivistëve, ndërsa organizatorët kanë përsëritur kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe institucionale.
