Në protestën e 28-të të zhvilluar përpara godinës së Kryeministrisë ka marrë fjalën edhe një shtetas britanik, i cili deklaroi se kishte udhëtuar nga Mbretëria e Bashkuar për t’iu bashkuar tubimit dhe për të shprehur mbështetjen e tij ndaj protestuesve.
Gjatë fjalës së mbajtur nga podiumi, ai kundërshtoi pretendimet se protestat po largojnë turistët e huaj nga Shqipëria.
“Edi Rama tha se turistët janë të trembur të vijnë se ka protesta këtu. Unë erdha nga Mbretëria e Bashkuar për të thënë se ato janë broçkulla!”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, i riu britanik vlerësoi pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe bëri thirrje për mbrojtjen e tyre.
“Ky vend është shumë i bukur për ta shitur,” deklaroi ai, përpara se ta mbyllte fjalimin me thirrjet: “Edi Rama jep dorëheqjen! Shqipëri e re!”
Deklarata e tij u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga pjesëmarrësit në protestë, e cila po vijon me fjalime dhe marshim përpara godinës së Kryeministrisë.
