Një tërmet me magnitudë 6 goditi këtë të shtunë rajonin malor Hindu Kush në Afganistan, duke u ndjerë në disa zona të vendit, përfshirë kryeqytetin Kabul, si edhe në Pakistanin fqinj.
Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC), tërmeti kishte një thellësi prej rreth 100 kilometrash, çka bëri që lëkundjet të përhapeshin në një zonë të gjerë.
Në distriktin Swat, në provincën Khyber Pakhtunkhwa të Pakistanit, banorët dolën në panik nga banesat sapo ndjenë lëkundjet. Dëshmitarët thanë se tërmeti zgjati disa sekonda dhe shkaktoi frikë, veçanërisht te gratë dhe fëmijët.
“Lëkundjet ishin shumë të forta dhe zgjatën për një kohë të konsiderueshme. Njerëzit dolën menjëherë nga shtëpitë, ndërsa shumë fëmijë dhe gra u panë duke qarë nga paniku,” tha një banor i zonës.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë raportuar për viktima apo dëme të mëdha materiale.
Më herët gjatë së njëjtës ditë, Pakistani u godit edhe nga një tjetër tërmet me magnitudë 5.4, sipas të dhënave të EMSC-së.
