Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një marrëveshje për zbatimin e sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar “One Stop”, me synimin për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e mallrave mes dy vendeve.
Marrëveshja parashikon që udhëtarët të kryejnë vetëm një ndalesë dhe një procedurë kontrolli në pikat kufitare, duke reduktuar kohën e pritjes dhe procedurat administrative.
Sipas autoriteteve, zbatimi i sistemit do të nisë brenda këtij muaji në pikën kufitare të Qafë Thanës, ndërsa gjatë muajit të ardhshëm do të shtrihet edhe në pikën doganore të Bllatës.
Të dhënat zyrtare tregojnë se pika kufitare e Bllatës përpunon mesatarisht rreth 4.600 qytetarë në ditë, ndërsa në pesë muajt e parë të vitit janë regjistruar rreth 300 mijë automjete që kanë kaluar përmes saj. Rritja e fluksit lidhet edhe me funksionimin e Rrugës së Arbrit, e cila ka shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit mes dy vendeve.
Autoritetet vlerësojnë se sistemi “One Stop” do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin ndërkufitar, duke lehtësuar si lëvizjen e qytetarëve, ashtu edhe transportin e mallrave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
