Marjana Koçeku për median britanike: Protestat forcuan vendimin tim për t’u larguar nga mazhoranca

Data

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, ish-anëtare e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka folur për arsyet e largimit të saj nga mazhoranca dhe situatën politike në Shqipëri në një intervistë për median britanike Britannia Daily.

Koçeku deklaroi se vendimi për t’u shkëputur nga Partia Socialiste ishte rezultat i pakënaqësisë së saj me mënyrën e funksionimit të qeverisjes dhe mungesën e llogaridhënies, ndërsa protestat qytetare, sipas saj, e kanë përforcuar bindjen se kishte marrë vendimin e duhur.

Sipas deputetes, Shqipëria ka nevojë për një kulturë të re politike dhe për një model qeverisjeje që vendos interesin publik mbi disiplinën partiake.

“Një nga përgjegjësitë themelore të një deputeti është të ushtrojë gjykim të pavarur në emër të qytetarëve që e kanë zgjedhur. Megjithatë, në praktikë, disiplina partiake shpesh vendoset mbi interesin publik”, u shpreh Koçeku.

Ajo i cilësoi protestat si një shprehje të angazhimit qytetar dhe tha se kërkesat për më shumë transparencë, luftë kundër korrupsionit, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të standardit të jetesës janë çështje që kërkojnë vëmendje institucionale.

Deputetja theksoi se, sipas vlerësimit të saj, edhe brenda mazhorancës ekzistojnë zëra kritikë ndaj mënyrës së qeverisjes, ndonëse shumë prej tyre, sipas saj, nuk janë shprehur publikisht.

“Besoj se ka një shqetësim në rritje brenda establishmentit politik. Është vetëm çështje kohe derisa më shumë njerëz të flasin hapur”, deklaroi ajo.

Në intervistë, Koçeku argumentoi se vendit nuk i nevojitet vetëm një rotacion politik, por një ndryshim më i gjerë i kulturës së qeverisjes.

Në fund të mesazhit të saj, ajo u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë angazhimin paqësor, duke theksuar se pjesëmarrja aktive në jetën demokratike mbetet një element i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve. Ajo shtoi se pas largimit nga Partia Socialiste ka marrë mesazhe të shumta mbështetjeje nga qytetarë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related