Kryeministri Edi Rama raportohet se ka kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme si një zgjidhje për situatën politike dhe presionin në rritje ndaj qeverisë.
Sipas burimeve, kërkesa është bërë gjatë një takimi me ambasadorë të vendeve perëndimore, ku Rama e ka paraqitur si një mënyrë për të rikthyer legjitimitetin përmes votës, në një moment kur qeveria përballet me akuza dhe hetime nga SPAK.
Megjithatë, ndërkombëtarët e kanë refuzuar këtë propozim, duke e konsideruar si një lëvizje presioni politik. Ata kanë vendosur një kusht të qartë: nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, ato duhet të zhvillohen me një qeveri kujdestare dhe gjithëpërfshirëse, pa Ramën në krye.
Diplomatët kanë shprehur shqetësime për përdorimin e administratës shtetërore në procese zgjedhore, duke iu referuar edhe raportimeve ndërkombëtare për zgjedhjet e vitit 2025.
Ndërkohë, kryeministri vijon takimet në terren me strukturat e Partisë Socialiste, në një klimë që ngjan me përgatitje elektorale, ndërsa mbetet e paqartë nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
