Policia e Shtetit ka nisur procedim penal ndaj 15 personave, të identifikuar si organizatorë ose pjesëmarrës në protestën e zhvilluar në Tiranë, duke i akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishje të rendit publik dhe pengim të qarkullimit të mjeteve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, tubimi ishte njoftuar të zhvillohej nga ora 19:00 deri në 22:00 në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por, sipas autoriteteve, pjesëmarrësit vijuan marshimin edhe në disa akse të tjera rrugore të kryeqytetit.
Policia pretendon se protestuesit bllokuan qarkullimin e automjeteve në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllokun dhe në segmente të Unazës, duke tejkaluar orarin dhe perimetrin e parashikuar në njoftimin paraprak për zhvillimin e tubimit.
Në kuadër të hetimeve janë proceduar shtetasit me inicialet A.G., G.P., A.T., D.G., L.K., E.S., A.K., E.L., V.D., G.K., A.P., Dh.C., A.B., L.G. dhe F.K.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, efektivët kanë sekuestruar një automjet dhe dy aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore.
Deri në këtë fazë nuk ka një reagim publik nga organizatorët e protestës ose personat e proceduar lidhur me masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit.
