Organizatori i protestës prezanton planin pas kërkesës për dorëheqjen e Ramës: Propozohet qeveri teknike 12-mujore dhe reformë kushtetuese

Data

Një prej anëtarëve të grupit koordinues të protestave qytetare në Tiranë, Ilir Xhemalaj, ka bërë publik vizionin e organizatorëve për hapat që, sipas tij, duhet të ndiqen nëse realizohen kërkesat e protestës.

Në një intervistë televizive, Xhemalaj deklaroi se kërkesa kryesore dhe e panegociueshme mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa shtoi se lëvizja kërkon gjithashtu largimin nga skena politike të figurave që, sipas organizatorëve, kanë dominuar jetën politike të vendit prej vitesh.

Sipas tij, pas dorëheqjes së qeverisë duhet të krijohet një qeveri teknike me mandat 12-mujor, e cila do të kishte si detyrë administrimin e vendit, përgatitjen e reformave dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve.

Xhemalaj tha se nuk përjashtohet edhe shpërndarja e Kuvendit në një fazë të mëvonshme, si pjesë e procesit të reformimit institucional.

“Në një moment të dytë mund të kërkojmë edhe shpërndarjen e Parlamentit, por prioritet mbetet krijimi i qeverisë teknike. Më pas duhet të ndërmerren ndryshime kushtetuese, veçanërisht për amendamentet e vitit 2008”, u shpreh ai.

Një tjetër propozim i bërë publik nga organizatori është krijimi i një Asambleje Qytetare me rreth 300–400 anëtarë, e cila, sipas tij, do të përfaqësonte qytetarët dhe do të kishte rol në përzgjedhjen e një këshilli që do të kontribuonte në procesin e reformave kushtetuese dhe në përcaktimin e qeverisjes së përkohshme.

Sipas Xhemalajt, pjesë e kësaj asambleje duhet të jenë qytetarë që nuk kanë mbajtur poste të larta shtetërore dhe nuk kanë përfituar nga kontrata apo tenderë publikë, me synimin për të garantuar një proces sa më të pavarur.

Propozimet e paraqitura nga Xhemalaj përfaqësojnë qëndrimin e organizatorëve të protestës dhe deri më tani nuk përbëjnë një iniciativë institucionale apo një proces zyrtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related