Ben Andoni: Ndryshimi është urgjent, protestat pasqyrojnë pakënaqësinë ndaj keqqeverisjes

Data

Analisti Ben Andoni ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe protestat qytetare në Tiranë, duke i cilësuar ato si një nga mobilizimet më të rëndësishme të viteve të fundit dhe duke theksuar se nevoja për ndryshim është bërë urgjente.

Në një intervistë televizive, Andoni u shpreh se protesta përfaqëson një reagim të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe problematikave që, sipas tij, janë shfaqur në institucione të ndryshme shtetërore.

“Një protestë e tillë nuk ka ndodhur në 35 vite. Ky ndryshim jo vetëm është urgjent, por duhet bërë me çdo kusht. Çdo mundësi e humbur matet me vite,” deklaroi ai.

Sipas Andonit, organizatorët duhet të ruajnë frymën dhe motivimin e pjesëmarrësve, duke theksuar se rëndësi nuk kanë vetëm numrat, por edhe vazhdimësia e angazhimit qytetar.

Analisti argumentoi se pakënaqësia e protestuesve lidhet me problematika të qeverisjes në nivel qendror dhe lokal, duke përmendur si shembuj çështjet e pronësisë, funksionimin e Kadastrës dhe sistemin e drejtësisë.

“Ajo Shqipëria e re që kërkojmë duhet ta krijojmë brenda vetes. Unë dua një Shqipëri normale, ku të respektohen institucionet dhe pronat e qytetarëve,” u shpreh ai.

Andoni shtoi se, nëse kërkesat e protestës do të gjejnë zbatim, lëvizja qytetare mund të fitojë më shumë mbështetje dhe ndikim në shoqëri. Ai e krahasoi rëndësinë e mobilizimit aktual me atmosferën e fillimviteve ’90, kur vendi po përjetonte ndryshime të mëdha politike.

Sipas tij, ruajtja e kohezionit dhe vazhdimësia e protestave janë elementë kyç për çdo lëvizje qytetare që synon të prodhojë ndryshime politike dhe institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related