PD ngre dyshime për projektin “Smart City”: Kredi 118 milionë dollarë për kontratë pa tender dhe kosto të fryra

Data

Partia Demokratike e Shqipërisë ka ngritur akuza lidhur me projektin “Smart City / Safe Nation”, duke pretenduar se një kredi prej 118 milionë dollarësh, e siguruar nga Fondi i Abu Dhabit, do të përdoret për financimin e një kontrate pa procedurë të hapur tenderimi dhe pa transparencë.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e PD-së, Jorida Vangjeli, tha se fondet e huasë, të ratifikuara në Kuvend në mars 2025, do të shkojnë për një kontratë që sipas opozitës do t’i jepet kompanisë “Presight Al Ltd”, e lidhur me grupin G42.

Sipas PD-së, vlera totale e projektit arrin në rreth 140 milionë dollarë me TVSH, ndërsa analiza e kostove ngre dyshime se çmimi është fryrë artificialisht, veçanërisht në komponentët e softuerit dhe mirëmbajtjes.

Partia Demokratike bëri të ditur se, sipas dokumenteve të huasë, fondet janë ndarë në:

  • 31.13 milionë dollarë për licenca softueri;
  • 62.4 milionë dollarë për harduer dhe infrastrukturë;
  • 7.84 milionë dollarë për shërbime profesionale;
  • 17.13 milionë dollarë për mirëmbajtje katërvjeçare.

Sipas deklaratës, vetëm për softuerin dhe mirëmbajtjen parashikohen mbi 48 milionë dollarë, pa përfshirë pajisjet fizike të monitorimit.

PD thekson se projekti parashikon instalimin e 8,657 pajisjeve monitoruese, përfshirë kamera ANPR, kamera PTZ dhe kamera trupi për Policia e Shtetit, ndërsa pretendon se kostoja mesatare për pajisje është shumë më e lartë se referencat ndërkombëtare për sisteme të ngjashme.

Në deklaratë ngrihen gjithashtu shqetësime për aspektin e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Sipas opozitës, mungesa e transparencës mbi mënyrën e përdorimit të sistemit, ruajtjen e të dhënave dhe mekanizmat e auditimit krijon rrezik për ngritjen e një infrastrukture të mbikëqyrjes masive.

Në përfundim, Partia Demokratike kërkoi publikimin e plotë të preventivit të projektit, zhvillimin e një auditimi të pavarur ndërkombëtar për kostot dhe vendosjen e garancive ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve. Opozita theksoi se, sipas saj, projekte të kësaj vlere duhet të zhvillohen me procedura konkurruese, transparencë të plotë dhe llogaridhënie publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related