MABCO rikthehet në Aeroportin e Vlorës pas vendimit të Gjykatës së Lartë, pritet rinisja e punimeve

Data

Punimet në Aeroportin e Vlorës pritet të rifillojnë pas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë, e cila i riktheu kompanisë MABCO të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare.

Pas zbardhjes së vendimit, përfaqësuesit e MABCO-s dhe nënkontraktorët e saj pritet të rikthehen në kantier, duke synuar zhbllokimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend. Vendimi i Gjykatës së Lartë përmbysi vendimet e mëparshme të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat kishin kufizuar të drejtat e kompanisë.

Mosmarrëveshja mes MABCO-s dhe kompanisë 2A Group kishte sjellë një ngërç të gjatë, duke shkaktuar vonesa të konsiderueshme në realizimin e aeroportit. Mbetet për t’u parë nëse rikthimi i MABCO-s do t’i japë fund konfliktit dhe do të përshpejtojë përfundimin e punimeve.

Për shkak të përplasjes mes ortakëve, afatet e ndërtimit të aeroportit janë tejkaluar. Më 29 maj, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, u kishte lënë kompanive një afat 30-ditor për të zgjidhur mosmarrëveshjet, duke paralajmëruar se në rast të kundërt do të aplikoheshin gjoba, deri edhe në prishjen e kontratës koncesionare.

Tre ditë përpara skadimit të këtij afati, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën për sigurim padie të paraqitur nga Vlora International Airport dhe 2A Group, duke i dhënë të drejtë sipërmarrësit Behgjet Pacolli dhe kompanisë MABCO.

Konflikti mes palëve nisi disa muaj më parë, pavarësisht ekzistencës së një kontrate noteriale që parashikonte rritjen e pjesëmarrjes së kompanisë së Valon Ademit nga 2 në 49 për qind të aksioneve. Sipas 2A Group, kjo marrëveshje nuk u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), ndërsa MABCO, sipas pretendimeve të saj, mori vendime të njëanshme për pezullimin e kontratave pa miratimin e asamblesë.

Në vijim të procesit gjyqësor, Gjykata e Shkallës së Parë kishte pezulluar të drejtën e MABCO-s për të marrë vendime në asamble, ndërsa Apeli e kufizoi këtë masë vetëm për çështjet që lidhen me tjetërsimin e 47 për qind të aksioneve të aeroportit. Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë i ka dhënë fund kësaj mase të përkohshme, duke hapur rrugën për rifillimin e plotë të aktivitetit në kantier.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related