Abdixhiku: I kërkova Vjosa Osmanit të ndihmonte LDK-në, pa kontributin e saj do ta kishim më të vështirë

Data

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke vlerësuar se koha e shkurtër mes proceseve zgjedhore e bëri të vështirë arritjen e ndryshimeve të mëdha në rezultat.

Sipas tij, zhvillimi i tre proceseve zgjedhore në një periudhë të shkurtër është një situatë e paprecedentë për Kosova, ndaj çdo përmirësim në rezultat duhet parë si pozitiv.

Abdixhiku u ndal edhe te roli i votës së diasporës, për të cilën tha se ndikoi në formimin e institucioneve të reja. Sipas tij, pa votat e diasporës, partitë politike do të ishin detyruar të arrinin një konsensus më të gjerë për krijimin e qeverisë.

Kreu i LDK-së foli edhe për rikthimin e Vjosa Osmani në mbështetje të partisë gjatë fushatës zgjedhore, duke zbuluar se kishte qenë vetë ai që i kishte kërkuar të kontribuonte për forcimin e LDK-së.

“Natyrisht, opsioni ishte që Vjosa të mos merrte fare pjesë në procesin zgjedhor. Por unë i kërkova me ngulm të na ndihmonte. Kisha nisur diskutime në të gjitha degët e LDK-së dhe me të gjithë akterët për të parë se si do të pritej ky bashkim,” u shpreh Abdixhiku.

Ai tha se, për të lehtësuar bashkëpunimin, kishte hequr dorë edhe nga privilegji i të qenit i pari në listën zgjedhore, duke e konsideruar këtë një hap në funksion të interesit të partisë.

Sipas Abdixhikut, Osmani mund të kishte zgjedhur të mos përfshihej në garën elektorale, duke qenë se gëzonte një mandat të suksesshëm si presidente, por vendosi të japë kontribut në një moment kur, sipas tij, ekzistonin projeksione për dobësimin e LDK-së.

“Nuk besoj se do të kishim dalë më mirë pa Vjosa Osmanin. Kontributi i saj ishte i rëndësishëm për forcimin e LDK-së si alternativë politike përballë pushtetit,” theksoi kreu i LDK-së.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related