Meta kërkon letër-porosi në SHBA: GJKKO t’i drejtohet Departamentit të Drejtësisë për çështjen e lobimit të LSI-së

Data

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë publik përmbajtjen e një kërkese të paraqitur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku kërkon që gjykata t’i drejtohet drejtpërdrejt me letër-porosi Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara për sigurimin e provave që lidhen me çështjen e kontratës së lobimit të ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) me kompaninë GSIS.

Sipas Metës, kërkesa synon të sqarojë plotësisht marrëveshjen e datës 3 shkurt 2016, dokumentacionin bankar, pagesat, korrespondencën zyrtare dhe çdo akt tjetër që lidhet me ekzekutimin e kontratës, duke pretenduar se këto prova do të dëshmojnë pafajësinë e tij.

Në deklaratën e publikuar, Meta thekson se gjatë seancës gjyqësore ka kërkuar që GJKKO të dërgojë menjëherë letër-porosinë në SHBA, duke argumentuar se afati dyvjeçar i konfidencialitetit për dokumentet e kërkuara ka përfunduar më 23 qershor 2026.

“Nuk ka as censurë dhe as bunker që fsheh të vërtetën. Ilir Meta dhe e vërteta janë një binom i pandarë. Ilir Meta kurrë nuk ka shkelur asnjë ligj shqiptar, amerikan apo ndërkombëtar,” shprehet ai.

Në kërkesën drejtuar gjykatës, Meta kërkon që Departamenti amerikan i Drejtësisë të vërë në dispozicion dokumentacionin e plotë mbi marrëveshjen mes LSI-së dhe kompanisë GSIS, përfshirë kontratën origjinale, çdo ndryshim të saj, faturat, pagesat bankare, autorizimet, produktet e punës së kompanisë, si dhe çdo informacion mbi nënkontraktorët apo transaksionet financiare të kryera.

Po ashtu, ai kërkon të merren të dhëna mbi vendimin e gjykatës amerikane që vendosi konfidencialitetin dyvjeçar të dokumenteve, si edhe çdo akt tjetër gjyqësor që lidhet me ekzekutimin e kërkesës shqiptare për ndihmë juridike.

Meta argumenton se mosadministrimi i këtyre provave gjatë hetimit ka cenuar të drejtën e tij për mbrojtje efektive dhe ka ndikuar në vendimmarrjen për masën e sigurimit personal ndaj tij.

Sipas tij, letër-porosia duhet të dërgohet me procedurë urgjente, duke qenë se ndodhet në paraburgim prej 20 muajsh dhe dokumentacioni i kërkuar, sipas pretendimeve të tij, lidhet drejtpërdrejt me provimin e pafajësisë në procesin gjyqësor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related