Aktivisti Eduart Kaca ka deklaruar se protestat qytetare kanë nxjerrë në pah krizën e sistemit politik në Shqipëri, duke argumentuar se modeli aktual i Republikës Parlamentare nuk po funksionon.
I ftuar në një studio televizive, Kaca u shpreh se vendi ka nevojë për një reformim të thellë institucional dhe një model të ri qeverisjeje.
“Sistemi parlamentar ka dështuar, sistemi shumëpartiak ka dështuar. Kemi parti pa institucione dhe liderë të përhershëm. Republika Parlamentare ka dështuar,” deklaroi ai.
Sipas aktivistit, ndonëse Shqipëria është një republikë parlamentare, mënyra e ushtrimit të pushtetit është larg standardeve të këtij modeli.
“Ne jemi Republikë Parlamentare, por Rama sillet si një mbret absolut,” tha Kaca.
Ai propozoi që vendi të kalojë në një sistem të ngjashëm me atë amerikan, ku presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe të ketë kompetenca të zgjeruara.
“Shqipëria ka nevojë për një sistem amerikan, me një president të zgjedhur nga populli, me dy dhoma dhe me një president të plotfuqishëm,” u shpreh ai.
Deklaratat e Kacës vijnë në një kohë kur protestat kundër qeverisë vijojnë në Tiranë, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale.
